Është caktuar masa e paraburgimit për të pandehurin M.Z

Është caktuar masa e paraburgimit për të pandehurin M.Z

Prishtinë, 27 shtator 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.Z për veprën penale Kanosja nga neni 185 par. 3, lidhur me paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit M.Z i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.26.09.2018 deri me dt.26.10.2018.

Ekziston dyshimi i bazuar se me dt. 24.09.2018 në ambientet e televizionit T7 në emisionin “DPT te Fidani” i pandehuri M.Z ka kanosur Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu për shkak të detyrës zyrtare i cili ndaj të pandehurit M.Z ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.Z është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe duke marr parasysh se i pandehuri ka kanosur Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu, i cili ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.Z, kjo shton edhe më shumë rrezikun se i pandehuri do ta përfundoj veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej, sepse arsyeja e kanosjes nga i pandehuri ka qenë ngritja e aktakuzës ndaj tij, nga Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.