Komunikatë për media

Komunikatë për media

Prishtinë, 08 qershor 2018 – Programi Kërko Drejtësi / NCSC, në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë, Odën e Avokatëve të Kosovës, Universitetet publike të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës dhe Gjilanit, organizuan garën e gjykimit të simuluar.

Gara u hap me një fjalë hyrëse nga Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë znj. Afërdita Bytyçi, Kryetari i Odës së Avokatëve z. Osman Havolli dhe zyrtarja ligjore e programit “Kërko Drejtësi” znj. Edona Ahmetaj.

Studentët garuan në dhënjen e fjalës përfundimtare në shqyrtimin kryesor të procedurës penale. Paneli vlerësues përbehej nga Gjyqtarja znj. Valbona Selimaj, Prokurori Armend Hamiti dhe Avokati Florin Vertopi.

Gara e gjykimit të simuluar u organizua në kuadër të Klinikave Juridike Penale me raste reale të programit “Kërko Drejtësi” që operojnë në kuadër të fakulteteve juridike të universiteteve publike të të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Gara synon të inkurajoj studentet e universiteteve që të përmirësojnë njohuritë e tyre për të drejtën penale dhe në veçanti të Kodit të Procedurës Penale, duke simuluar procedurat përmes argumentimit të një rasti hipotetik. Përveç kësaj, Gara i ofron pjesëmarrësve mundësinë për t’u njohur me studentë të universiteteve të tjera dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Klinikat Juridike Penale mbështeten nga Programi “Kërko Drejtësi” (D4J) dhe ju ofron studentëve të Fakulteteve Juridike mundësinë që ti asistojnë Avokatët e OAK në përfaqësimin pro bono të të akuzuarve të cilët nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar një avokat. Pjesë e këtyre klinikave janë studentët të cilët do të aplikojnë njohuritë e tyre akademike në praktikë, duke punuar në raste ligjore reale gjatë vitit të fundit të shkollimit të tyre ose magjistraturës.