Është shpallur aktgjykimi kundër dy të akuzuarve

Është shpallur aktgjykimi kundër dy të akuzuarve

Prishtinë, 27 prill 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin PKR.nr.203/14 kundër të akuzuarve H.F dhe B.F.

I akuzuari H.F është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4(katër) vite e 10(dhjetë) muaj për veprën penale Vrasje në bashkëkryerje e në tentativë nga neni 30 par.2 nën. par.2 të LPK lidhur me nenin 22 dhe 19 të LPJ.

I akuzuari B.F është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) viteve për veprën penale Vrasje në bashkëkryerje e në tentativë nga neni 30 par.2 nën. par.2 të LPK lidhur me nenin 22 dhe 19 të LPJ.

Ndaj të akuzuarit H.F janë konfiskuar një (1) revole 7.62 mm, M57, me nr. serik 100001, 9 (nëntë) fishek, dhe 1(një) karikator, ndaj dy të akuzuarve H.F dhe B.F konfiskohen 8(tetë) gëzhoja të kalibrit 7.62 mm të kallashit, dy 2(dy) predha të kalibrit 7.62 mm, 1(një) lëvozhgë e predhës të kalibrit 7.62 – kallashit, dy (2) gëzhoja të revoles të kalibrit 7.62 mm, dy këpucë të përgjakura të marra në shtëpinë e të dyshuarve e që të njëjtat duhet të shkatërrohen.

Gjykata ka konstatuar se dy të akuzuarit me datë 31.10.2001, rreth orës 15:00, në fshatin Laushë e Epërme, Komuna e Podujevës, në udhëkryqin e rrugës kryesore, te Lapidari i dëshmorëve “Bahri e Fahri Fazliu”, të akuzuarit H.F dhe B.F, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë tentuar që t’i privojnë nga jeta të ndjerin S.F dhe të dëmtuarin N.F.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës .