Është shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit A.S dhe ndaj të miturve-tani madhor L.S dhe A.L

Është  shpallur aktgjykimi kundër të akuzuarit A.S dhe ndaj të miturve-tani madhor L.S dhe A.L

Prishtinë, 10 prill 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin kundër të akuzuarit A.S për shkak të veprës penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë 179 paragrafi 1, pika 1.1, 1.8, 1.5 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndaj të miturit – tani madhor L.S për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.1, 1.8, 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të miturit – tani madhor A.L për veprën penale Moslajmërim i veprës penale në bazë të nenit 28 të Kodit të Drejtësisë për të Mitur.

I akuzuari A.S është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, prej dt. 08.01.2014.

I mituri-tani madhor, L.S është dënuar me burgim unik për të mitur në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Të miturit-tani madhor, A.L iu është shqiptuar masa edukative dërgimi në institucionin edukativo-korrektues në kohëzgjatje prej 2 viteve, e cila masë nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhë kohore prej 2 viteve, nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Të akuzuarit A.S i vazhdohet masa e paraburgimit, ndërsa të miturit – tani madhor L.S i caktohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim, konform nenit 367 par.2 të KPPK-së.

Gjykata ka konstatuar se gjatë periudhës kohore 03.01.2014 deri me 08.01.2014 i akuzuari A.S ka ndihmuar vazhdimisht të miturin L.S në privimin nga jeta të të miturit tani të ndjerë F.K.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.