Të pandehurit M.S i është caktuar masa e paraburgimit

Të pandehurit M.S i është caktuar masa e paraburgimit

Prishtinë, 30 mars 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga nenin 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mashtrim në detyrë nga neni 426 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit M.S iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.28.03.2018 deri me dt.28.04.2018.

Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.S në cilësinë e personit zyrtar, zotues në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim që vetit t’i sjellë përfitime pasurore të kundërligjshme me autorizim duke vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare dhe duke tejkaluar kompetencat e tij në atë mënyrë që ka bërë prezantime të rrejshme të raporteve me ç’ rast ka shkaktuar dëme në buxhetin e AKPM-së.

 Gjykata ka konstatuar se kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.