Zgjidhja e lëndëve të shenjëstruara për liberalizim të vizave, prioritet i institucioneve gjyqësore

Zgjidhja e lëndëve të shenjëstruara për liberalizim të vizave, prioritet i  institucioneve gjyqësore

Prishtinë 27 mars 2018 – Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur një takim i përbashkët ku të pranishëm ishin Nehat Idrizi – Kryesues i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Enver Peci – Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Hasan Shala – Kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Afërdita Bytyçi – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Agim Maliqi – Gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe njëherit edhe koordinator për lëndët e shënjestruara të mekanizmit përcjellës LV, si dhe gjyqtarët e kësaj Gjykate nga Departamenti i Krimeve të Rënda, Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni për Çështje Penale dhe Departamenti për të Mitur.

Qëllimi i këtij takimi të përbashkët ishte koordinimi i të gjitha institucioneve gjyqësore në zgjidhjen e menjëhershme të lëndëve për liberalizim të vizave. Me këtë rast, Nehat Idrizi – Kryesues i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës kërkoi nga gjyqtarët e kësaj Gjykate që të bashkëpunojnë që sa më parë të zgjidhen rastet e korrupsionit dhe të shihen rezultatet. “ Kërkoj nga të gjithë ju që të thelloni bashkëpunimin dhe sa më parë të kemi rezultatet e para në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit. Ne ju premtojmë mbështetje për secilin gjyqtar që merret me këto raste”, deklaroi Kryesuesi i KGJK, Nehat Idrizi.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërtita Bytyçi tha se në gjykatën të cilën ajo drejton janë 18 raste për liberalizim të vizave prej të cilave 3 janë të përfunduara. “ Në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjithsej lëndë të shenjëstruara janë 18, prej të cilave 3 janë të përfunduara. Të gjitha lëndët janë në procedurë dhe ne jemi të përkushtuar që sa më parë ato t’i zgjidhim” tha kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi.

Po ashtu kryetarja Bytyçi kërkoj mbështetje nga KGJK, për trajtimin e këtyre lëndëve.