Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit I.S

Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurit I.S

Prishtinë, 06 shkurt 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.S, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e Rëndë në Tentativë nga neni 179 par 1. pika 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale Mbajtja në Pronësi, Kontroll ose Posedim të Paautorizuar të Armëve nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit I.S i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt. 03.02.2018 deri me dt.03.03.2018.    

I pandehuri I.S dyshohet se me dt.19.11.2017, rreth orës 19:45, në Prishtinë në lagjën Ulpiana në rrugën „Dëshmorët e Kombit“, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit A.F duke i shkaktuar lëndime trupore dhe ka vënë në rrezik jetën e një personi tjetër K.U, duke e plagosur në pjesën e këmbës, andaj me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e Rëndë në Tentativë nga neni 179 par 1. pika 1.5 lidhur me nenin 28  dhe Mbajtja në Pronësi, Kontroll ose Posedim të Paautorizuar të Armëve nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit I.S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë të të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e  Apelit të Kosovës.