Fjalimi i kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, i mbajtur sot në Konferencën e shtatë vjetore të Gjyqësorit të Kosovës

Fjalimi i kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, i mbajtur sot në Konferencën e shtatë vjetore të Gjyqësorit të Kosovës

“Ngritja e performancës së gjyqtarëve dhe kushteve të punës – Veprimet të cilat duhet të ndërmirren”

Gjeni fjalimin e plotë të kryetares së Gjykatës:

 

Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj,

 

Më lejoni që fillimisht të shpreh faktin se ndihem e privilegjuar që sot jam në mesin tuaj, për të vënë në spikamë një temë jashtëzakonisht të rëndësishme, siç është ngritja e performancës së gjyqtarëve dhe kushteve të tyre të punës.

Ngritja e performancës së gjyqtarëve dhe kushteve të tyre të punës, padyshim që është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të fituar betejën e përditshme dhe universale për drejtësi të mirëfilltë.

Përmirësimi i veprimtarisë së pushtetit gjyqësor duhet parë si një vlerë e rëndësishme që duam të arrijmë si shoqëri kosovare dhe jo thjeshtë si një detyrim apo kusht ndaj demokracive ku dëshirojmë të integrohemi.

Duhet thënë që në fillim se debati për performancën e gjyqtarëve është gjithmonë një temë delikate, ngase ka tendencë të shihet nën prizmin e ndërhyrjes në punën dhe pavarësinë e gjyqtarëve.

Megjithatë, edhe pse performanca e gjyqtarëve lidhet direkt me lirinë e marrjes së vendimeve dhe punën e tyre, kjo assesi nuk do të thotë që gjyqtarët nuk janë përgjegjës për kualitetin e punës që e bëjnë.

 

Zonja dhe zotërinj,

Para se të bëjmë përpjekje për të forcuar cilësinë e sistemit gjyqësor, duhet fillimisht të kuptojmë se në çfarë stadi qëndron performanca e veprimtarisë së këtij sistemi, pra të analizojmë pikat e forta dhe të dobëta të kësaj performance.

Në përditshmëri, kritikat kryesore që i adresohen performancës së gjyqtarëve janë kryesisht të fokusuara në “produktivitetin” dhe “efikasitetin” e punës së tyre.

Është e ditur se një nga treguesit për të matur performancën e gjyqtarëve, ndër të tjera është edhe  kohëzgjatja e procedurave dhe numri i rasteve të mbetura që ata i trajtojnë.

Megjithatë, matja e performancës së gjyqtarëve nuk është veprimtari e lehtë, sepse efektiviteti i drejtësisë nuk mund të matet vetëm me numrin e rasteve gjyqësore apo gjykimeve.

Mbi të gjitha, theksimi i tepruar i  shpejtësisë së procesit gjyqësor dhe nënvlerësimi i cilësisë ligjore, mund të çojë në gabime të drejtësisë (“drejtësia që ngutet është drejtësi e varrosur”).

Andaj, është kruciale që në secilin vlerësim të performancës së gjyqtarëve të realizohet një ekuilibër ndërmjet “efikasitetit”, në njërën anë dhe “cilësisë së gjykimit”, në anën tjetër.

Duhet përmendur po ashtu se edhe grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura, paraqet faktor negativ që i kontribuon ngadalësimit të dinamikës performative të gjyqtarëve.

Rastet e vjetra janë pengesë e madhe për efikasitetin e gjykatave, sepse ato kërkojnë përkushtim të madh profesional, gjë që pengon zgjidhjen e rasteve akute dhe aktuale, rrjedhimisht duke sjellë performancë jo të kënaqshme vjetore të gjyqtarëve sa i përkes zgjidhjes së lëndëve.

Po ashtu, buxheti shumë i ulët që i dedikohet gjyqësorit ka kufizuar rritjen e numrit të stafit profesional dhe administrativ, duke shkaktuar zvarritje të proceseve gjyqësore dhe numër të madh të lëndëve të papërfunduara. Andaj, mekanizmat e punësimit të stafit profesional mbështetës kërkojnë vëmendje të shtuar dhe profilet e bashkëpunëtorëve profesional duhet të fuqizohen.

Siç edhe jeni në dijeni shumica prej jush, përkrahja e vogël financiare e gjyqësorit, është një nga të metat e pakapërcyeshme që disa vite me rradhë. Gjykatave në Kosovë u ndahet vetëm 1.1% e buxhetit vjetor të Kosovës, apo vetëm 20 milion euro.

 

Të nderuar,

Është mëse e qartë se një nga indikatorët e performancës jo të kënaqshme të nivelit gjyqësor në përgjithësi, është edhe përballja me vështirësitë operative që i përmenda më lart.

Dyfishimi i buxhetit për sistemin gjyqësor dhe rritja e stafit profesional dhe administrativ në mbështetje të gjyqtarëve, padyshim që do të rriste pozitivisht performancën e tyre në punë.

Për tu krijuar një sistem gjyqësor i mirëfilltë, ku pjesa e konsiderueshme e gjyqtarëve  kanë performancë pozitive në të gjitha aspektet organizative dhe operative, nevojitet një paketë gjithëpërfshirëse e masave, siç janë:

  1. Krijimi i kushteve cilësore të zhvillimit të proceseve gjyqësore, nëpërmjet mbështetjes së plotë financiare të aktivitetit të gjykatave, përmirësimit të kushteve të punës, gjykimit dhe shërbimit, si dhe  sigurisë.

 

  1. Përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës elektronike të gjykatave, në funksion të rritjes  së cilësisë dhe transparencës së procesit gjyqësor dhe shërbimit  ndaj publikut, pasi siç dihet, për administrimin efektiv të drejtësisë kërkohet një mjedis i përshtatshëm fizik dhe teknologjik.

 

  1. Mbështetja e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në trajnime vazhduese profesionale, sidomos në fushën e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe harmonizimit të proceseve dhe vendimeve gjyqësore me  vendimet e kësaj gjykate, si obligim që rrjedhë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

 

  1. Teknologjia duhet ta mbështesë përmbushjen e misionit gjykatava, andaj Gjyqtarëve dhe stafit administrativ duhet t’u ofrohen më shumë trajnime për teknologjinë informative dhe sistemet e ruajtjes së të dhënave të cilat do ta lehtësojnë fuqishëm punën e tyre.

 

  1. Nuk duhet të harrojmë se edhe niveli i përdorimi i sistemit audio në seancat gjyqësore është matës real i performancës së gjyqtarëve. Fuqizimi i këtij sistemi dhe aplikimi i tij në të gjitha seancat gjyqësore, synon rritjen e transparencës dhe kontrollit mbi gjyqësorin.

 

  1. Në rregulloren për vlerësimin e gjyqtarëve nuk parashihet disiplinimi i gjyqtarëve me performancë të ulët andaj ndryshimet në këtë rregullore dhe aktet tjera nënligjore, mund të jenë të domosdoshme për të siguruar që riemërimet, transferimet dhe ngritjet në pozita të mbështeten në vlerësime të mirëfillta.

 

  1. Sistemi disiplinor për gjyqtarët duhet të përforcohet, pra gjyqtarëve që e shkelin ligjin duhet t’u shqiptohen masa disiplinore të duhura, ndërsa informatat për disiplinimin gjyqësor duhet të bëhen publike.

 

  1. Thjeshtësimi i legjislacionit dhe standardizimi i procedurave gjyqësore.

Vetëm përmes përmbushjes së këtyre objektivave, mund të arrihet vizioni ynë: Një sistem gjyqësor kosovar që është i pavarur, i qasshëm për të gjithë, i drejtë dhe efikas në punën e tij dhe që u përmbahet standardeve më të larta të ndershmërisë, integritetit, profesionalizmit dhe transparencës.

Të nderuar,

Ne si gjyqtarë, jemi personalisht agjentët e ndryshimit në sistemin e drejtësisë.

Andaj në këtë drejtim, duhet të jemi më vizionarë dhe të pyesim veten se çfarë duhet të bëjmë ne personalisht për të rritur performancën tonë dhe për të promovuar një gjyqësor të pavarur, efektiv dhe autonom? A jemi duke e përmbushur misionin tonë në mënyrë adekuate? A jemi duke i shfrytëzuar burimet njerëzore dhe financiare si është më së miri, për ta përmbushur misionin tonë?

Nëse nuk ka ndryshime në mendimin, sjelljet dhe iniciativat tona për të afirmuar rolin tonë brenda shoqërisë përmes aplikimit konsekuent të garancisë për pavarësi, autonomi dhe për paanshmëri ndaj çdo qyetari, atëherë çdo përpjekje tjetër për rritjen e perfomancës do të ishte e pavlefshme.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!