Është shpallur aktgjykimi kundër tre të akuzuarve

Është shpallur aktgjykimi kundër tre të akuzuarve

Prishtinë, 18 tetor 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur publikisht Aktgjykimin kundër të akuzuarve E.H, H.V dhe A.R, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mashtrimi në detyrë nga neni 341 par. 3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

I akuzuari  E.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej 2 (dy) viteve.

I akuzuari H.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj.

I akuzuari A.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj.

Të akuzuarve H.V dhe A.R, dënimi me burgim i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 10.000 (dhjetëmijë) euro, të cilin dënim të akuzuarit janë të obliguar që ta paguajnë në afatin prej 60 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se të pandehurit nuk e paguajnë dënimin në afatin e caktuar nga gjykata do të mbetet në fuqi dënimi me burgim.

Tre të akuzuarit obligohen që të dëmtuarës Universiteti I Prishtinës t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70.131,27 €, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Palët kanë të drejtë ankese  në Gjykatën e Apelit të Kosovës .