Caktohet masa e paraburgimit për të pandehurin S.R

Caktohet masa e paraburgimit për të pandehurin S.R

Prishtinë, 09 tetor – Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.R, për shkak të veprës penale Vrasja e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës nga neni 126 par.1 lidhur me nenin 34 par.1 të KPK, dhe Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par.1 dhe 2 të KPK –së.

Të pandehurit S.R i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 ( një ) muaji, duke filluar nga data 07.10.2017 deri me datë 07.11.2017.

Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit S.R, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurit në procedurë, sepse po të gjendet në liri i njëjti  do të mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.