Është dënuar i akuzuari E.J për vrasje të rëndë

Është dënuar i akuzuari  E.J për vrasje të rëndë

Prishtinë, 25 shtator 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur publikisht Aktgjykimin, PKR.nr.120/15, më të cilin i akuzuari E. J është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik burgu në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë ) viteve për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 par.1 të KPK-së dhe veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari E.J është fajtor sepse me dt.08.03.2014, rreth orës 20.45 min., në rrugën “Shaip Spahija”( Mahalla e Muhaxherëve) në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje në mes të akuzuarit E.J dhe bashkëshortes së tij M.J, si dhe me vëllain e bashkëshortes tani të ndjerin B.K dhe pasi që nuk kishin  mundur të gjejnë një zgjidhje të duhur, i akuzuari kishte goditur tri herë me armë zjarri të ndjerin B.K,  ku si pasojë e këtyre goditjeve i njëjti kishte vdekur.

Me këtë veprim i akuzuari E.J ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë  nga neni 179 par.1 të KPK-së, si dhe veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.

Të akuzuarit E.J i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga dt.08.03.2014 dhe me aktvendim të veçantë të njëjtit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Palët kanë të drejtë ankese  në Gjykatën e Apelit të Kosovës .