Një grup i juristeve të diplomuara vizituan Gjykatën Themelore në Prishtinë

Një grup i juristeve të diplomuara vizituan Gjykatën Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 26 korrik 2017 – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot qëndruan për vizitë një grup i juristeve të diplomuara nga Fakultetit Juridik – Universiteti i Prishtinës, një përfaqësuese e Odës së Avokatëve dhe përfaqësues nga OSBE- ja.

Ato u pritën nga gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, nga shefja e Departamentit Shadije Gërguri dhe gjyqtari Beqir Kalludra.

Gjyqtarët i njoftuan mysafirët lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësorë në Kosovë, me strukturën organizative  të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po ashtu  vëmendje e veçantë ju kushtua edhe procedurave të cilat zhvillohen brenda Gjykatës, gjegjësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda si dhe disa çështjeve tjera të natyrës së tillë të cilat ishin në interes të  juristeve të  reja.

Po ashtu në takimin e mbajtur është diskutuar edhe roli i gruas në shoqëri e sidomos në sistemin e drejtësisë.

Gjyqtarët deklaruan se në sistemin e drejtësisë femra është mjaft e angazhuar, e cila ka rol vendimmarrës në institucionet e drejtësisë.

Gjyqtarët deklaruan se zëri dhe roli i femrës duhet të fuqizohet çdo ditë në shoqëri dhe në drejtësi, edhe pse barazia dhe përfshirja nuk arrihen lehtë por gjithsesi roli i femrës ka rëndësi të jetë zë i fuqishëm në sistemin e drejtësisë.

Femra në institucionet e drejtësisë ka dëshmuar se roli i saj në shtetin tonë është duke u fuqizuar çdo ditë e më shumë, e kjo  është shumë domethënëse, andaj duhet të angazhohemi që ky rol të fuqizohet edhe më shumë.

Juristët e drejtësisë parashtruan edhe disa pyetje për gjyqtarët.

Ky organizim është realizuar në kuadër të një projekti të OSBE-së, i cili e mbështetë Komisionin për Çështje Gjinore të Odës së Avokatëve për t’i  udhëzuar studentet e diplomuara nga Fakulteti Juridik të cilat zgjidhen nga Komisioni në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, lidhur me profesionin e juristit në përgjithësi dhe të avokatit në veçanti.