Është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit F.A

Është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit F.A

Prishtinë, 08 qershor 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit F.A, i cili është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari F.A është fajtor sepse me dt. 15.05.2014 rreth orës 16:00 në Prishtinë, në rrugën “Vëllezërit Fazliu” ka tentuar që ta privoj nga jeta tani të dëmtuarin F.A, para servisit “Metropol Max”, ashtu që me armë zjarri kishte gjuajtur në drejtim të të dëmtuarit dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim i akuzuari F.A ka kryer veprën penale Vrasje në tentativë nga neni 178 par.1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, dhe veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll  ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Gjykata të akuzuarit F.A i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues konfiskimin e armës me të cilën ka kryer veprat penale, ndërsa edhe pse i akuzuari në shqyrtimin fillestar  ka pranuar fajësinë për dy veprat penale, i njëjti akoma nuk e ka dorëzuar armën e zjarrit, prandaj Gjykata e ka urdhëruar që të njëjtën armë ta dorëzoi menjëherë.

Për shkak të ekzistimit të rrezikut të përsëritjes së veprave penale, pasi që në këtë Gjykatë ndaj këtij të akuzuari zhvillohen edhe dy procedura tjera penale, Gjykata të akuzuarit i ka vazhduar paraburgimin deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit kanë reaguar të afërmit e të akuzuarit dhe i akuzuari F.A., të cilët kanë kërcënuar drejtë për së drejti kryetarin e trupit gjykues- gjyqtarin Hamdi Ibrahimi, lidhur me dënimin që i ka shqiptuar të akuzuarit, me ç’ rast  policia e Kosovës  ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe ka arrestuar tre persona për kanosje ndaj gjyqtarit dhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Personat janë ndaluar nga zyrtarët policor prezent dhe më pas janë shoqëruar në zyrat e Policisë brenda objektit të Gjykatës. Tre të arrestuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor “ Jugu”.