Shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve

Shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve

Prishtinë, 19 Prill 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin, PKR.nr.1071/13, më të cilin i akuzuari G.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) viteve, ndërsa të akuzuarit B.A dhe I.D janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj për secilin veç e veç.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari G.S është fajtor sepse me dt.30.03.2013, rreth orës 01.15, në klubin e natës ‘’Amsterdam’’ në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ti shkaktoj lëndime të rënda trupore tani të ndjerit L.B gjatë përleshjes fizike në mes të akuzuarve G.S, B.A, I.D dhe D.K në njërën anë dhe të akuzuarve L.S dhe B.B në anën tjetër, ashtu që i akuzuari G.S  kishte goditur me thikë tani të ndjerin L.B në pjesën e sipërme të këmbës së majtë, me ç ’rast i kishte prerë komplet arterien dhe venën femorale të majtë, të cilat prerje ishin shoqëruar me gjakderdhje masive dhe shok hemorragjik, dhe për pasojë kishin shkaktuar vdekjen e të ndjerit L.B me dt.01.04.2013 në ora 11.20 min.

Me këtë veprim i akuzuari G.S ka kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor nga neni 189 par.4 të KPK-së, ndërsa të akuzuarit B.A dhe I.D kanë kryer veprën penale Pjesëmarrje në rrahje nga neni 190 par.1 të KPK-së.

Të akuzuarit G.S i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim prej dt.30.03.2012  dhe  të njëjtit i vazhdohet paraburgimi, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa të akuzuarve B.A dhe I.D i është llogaritur  koha e kaluar në paraburgim prej dt.30.03.2012 deri me dt.03.02.2014.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën së Apelit të Kosovës .