Caktohet masa e paraburgimit ndaj një të pandehuri

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një të pandehuri

Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit S.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Krime lufte kundër popullatës civile të paraparë dhe në kundërshtim me nenin 22 dhe 142 të Kodit të RSFJ që aktualisht është e dënueshme sipas neneve 23 dhe 120 të Kodit Penal të Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një ( 1 ) muaji dhe atë duke filluar prej dt. 09.12.2016, deri me datën 09.01.2017.

I pandehuri S.B është pjesëtar i komunitetit rom-shtetas i Republikës së Serbisë i cili është arrestuar me dt. 09.12.2016 dhe është ekstraduar nga  Bosnja dhe Hercegovina.

Arsye për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit S.B është se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B dhe i bashkëakuzuari I.R i cili është i dënuar dhe persona tjerë si anëtarë të forcave paramilitare serbe, kanë marrë pjesë në rrahje dhe tortura të qytetarëve shqiptarë të mbledhur në një stacion të autobusëve në Fushë Kosovë, me datën 25 mars 1999. Të pandehurit kishin të veshura uniforma paramilitare dhe ishin të armatosur me pushkë automatike dhe kishin ardhur në vend-ngjarje kishin rrethuar civilët kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ata i rrahën dhe torturuan burrat të cilët më vonë ishin gjetur në vendngjarje. Disa prej meshkujve që ishin rrahur u urdhëruan që të hipin në një veturë të blinduar dhe ishin dërguar në drejtim të panjohur. Haki Bajrami i cili ishte ndarë nga grupi dhe ishte rrëmbyer. Trupi i tij ishte gjetur në një varrezë masive në Dragodan dhe ishte identifikuar me dt.17.08.2000.

Gjykata ka caktuar  masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S.B sepse ekziston rreziku i lartë i arratisjes së të pandehurit S.B pasi që i njëjti i është shmangur drejtësisë dhe juridiksionit të Kosovës për katër vitet e fundit. Po ashtu duke marrë parasysh rrethanën se i pandehuri S.B e ka shtetësinë e Republikës së Sërbisë dhe nuk ka shtetësi të Republikës së Kosovës tregonë rrezikun se nëse të pandehurit nuk i caktohet masa e paraburgimit i njëjti mund të arratiset dhe do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë.