Shpallet aktgjykimi për tre të akuzuar

Shpallet aktgjykimi për tre të akuzuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda është shpallur aktgjykimi në çështjen penale tani të akuzuarve T.I, I.Z dhe N.Z ,të akuzuar për shkak se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje në tentativë, Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 par. 3 të Ligjit nr.05/L-002 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK.

Të akuzuarit janë shpallur fajtor sepse me datën 14.11.2015, pas marrëveshjes paraprake në mes veti, të njëjtit janë takuar te stacioni i autobusëve në Prishtinë  dhe janë nisur drejt pikës kufitare Hani i Elezit, me taksi e kanë kaluar kufirin Kosovë-Maqedoni, më pas rreth orës 18:00, kanë arritur në aeroportin e Shkupit, përmes të cilit kanë fluturuar me aeroplanin “Turkish Airlines” për në Stamboll, me qëllim të udhëtimit për në Siri dhe të bashkëngjitën në Organizatën Terroriste ISIS, pas aterimit në aeroportin e Stambollit në Turqi, në momentin e dorëzimit të pasaportave për kontroll të organet kompetente turke i kanë ndaluar autoritetet e Turqisë, ku pas kontrollit dhe marrjes së informatave rreth udhëtimit të tyre iu është refuzuar udhëtimi me 15.11.2015, i kanë kthyer në aeroportin e Shkupit, pas kthimit të tyre në Kosovë, janë arrestuar nga policia e Kosovës

I akuzuari T.I është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2  (dy vjet) e  4 (katër) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim  prej datës 15.11.2015 e tutje,

I akuzuari I.Z është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2  (dy vjet) e  6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim  prej datës 15.11.2015 e tutje,

E akuzuara N.Z është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2  (dy vjet) e  4 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim  prej datës 15.11.2015 e tutje,

Ndaj të akuzuarve T.I, I.Z dhe N.Z VAZHDOHET masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykim të kësaj gjykate.