Lidhur me përkeqësimin e kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë

Lidhur me përkeqësimin e kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ,përmes kësaj komunikate që para së gjithash i adresohet Këshillit Gjyqësorë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës,njofton se kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë cdo ditë po përkeqësohen dhe si pasojë e kësaj gjendje nuk është larg dita kur i gjithë stafi i kësaj gjykate do të ndërpres punën .

Sikurse e kemi bërë shumë herë të qartë deri me tani,  në  Pallatin e Drejtësisë  ku është e  vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës, në objektet që i shfrytëzon  kjo gjykatë por edhe në të gjitha objektet tjera që shfrytëzohen bashkërisht  edhe nga gjykata dhe prokurori të tjera, ndihet mungesë e madhe e oksigjenit  dhe ka probleme me sistemin e ngrohjes. Në disa objekte ka momente kur rregullohet ,dhe nuk ndihet mungesë e oksigjenit, por kjo zgjat pak dhe pas një kohe të shkurtër kthehet gjendja e më parme.

Kështu  në disa pjesë të objektit temperatura është ekstreme e lartë –dhe nuk mund të qëndrohet fare në ato hapësira ( Objekti “D”) – në pjesët tjera temperatura është   shumë e vogël . Për shkak të mungesës së oksigjenit dhe te temperaturave të larta  vetëm gjatë kësaj jave kishte  3 (tri) raste të alivanosjes së personave ( palë –ose punëtor të gjykatës)  dhe kishte disa raste kur është imponuar ndërprerja e punës. Sot, dt. 24.2.2016,  para fillimit të një shqyrtimi  gjyqësor në njërën prej sallave të  Departamentit  për Krime të Rënda kishte përkeqësim të shëndetit  tek njeri prej mbrojtësve të pandehurve dhe trupi gjykues ka qenë i detyruar që të ndërpres shqyrtimin gjyqësor.Të gjithë të pranishmit në sallën  ku duhej të mbahej shqyrtimi gjyqësor janë ankuar në kushtet e punës nën të cilat janë të detyruar që të qëndrojnë, dhe kanë kërkuar shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor.

Prandaj, kjo gjykatë kërkon  veprimin  urgjent të  gjitha institucioneve  që  të sanohen lëshimet teknike me rastin e projektimit dhe ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë dhe të krijohen kushte  normale për punë.

Kjo  gjykatë , i përkujton këto  institucione se  gjyqtarët  nuk mund të ndajnë drejtësi në kushte ekstreme të pa volitshme të punës. Ne besojmë se të gjithë janë të vetëdijshëm, se  çka do të thotë mungesa konstante e oksigjenit për trurin e njeriut. Nuk bëhet fjalë për mungesë të oksigjenit për disa sekonda apo minuta.

Të gjitha këto institucione që u adresohet kjo komunikatë, sidomos Ministria e Administratës Publike, kanë qenë të njoftuara tani  e një vit më herët për të gjitha këto probleme, por asnjëherë nuk  kishte  qasje serioze për   marrjen e masave të duhura në  këtë drejtim.

Për më tepër gjykata akoma nuk është në dijeni se Pallati i Drejtësisë a është dorëzuar  te institucionet vendore si objekt i përfunduar  sipas  standardeve teknike që  duhej të ishin respektuar, dhe a është bërë pranimi  i objektit  sipas procedurave të paparapara apo jo?

Gjykata Themelore në Prishtinë