Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatat Nr. 03/L-199, Departamenti për Çështje Ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë është i vetmi departament që ka kompetencë të merret me çështjet ekonomike/afariste nga e gjithë Kosova.
Ky Departament është kompetent të gjykoj çështjet në vijim:
– kontestet ndërmjet personave juridik vendor dhe të huaj lidhur me çështjet e tyre afariste;
– riorganizim, falimentim dhe shuarjen e personave juridik, nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe;
– kontestet lidhur me pengimin e posedimit, me përjashtim të pronës së paluajtshme, ndërmjet personave juridik vendor dhe të huaj;
– kontestet lidhur me cenimin e konkurrencës, keqpërdorim apo monopolizim dhe pozitën dominuese në treg si dhe marrëveshjet monopoliste;
– mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të pronës intelektuale.
– kontestet midis kompanive të aviacionit, për të cilat zbatohet Ligji mbi Kompanitë e Aviacionit, duke përjashtuar kontestet lidhur me të drejtat e udhëtarëve; dhe
– çështje të tjera të parapara me ligj
Me Ligjin Nr. 05/L -032, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat, në kuadër të këtij departamenti është paraparë edhe themelimi i Divizionit për kontestet lidhur me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës.
Si rregull i përgjithshëm, të gjitha rastet pranë Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore gjykohen nga një (1) gjyqtar profesional.
Departamenti i Çështjeve Ekonomike përkujdeset që kontestet e natyrës ekonomike të zgjidhen në një mënyrë sa më efikase dhe që mjedisi i biznesit në Kosovë të jetë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare.
Për më shumë informacione, ju lutem shikoni Ligjin për Gjykatat Nr. 03/L-199 (hyperlink të ligjit) dhe amendamentet pasuese të këtij ligji (hyperlink të ligjit).