Sipas strukturës organizative të gjykatave të Kosovës, të përcaktuar në Ligjin për Gjykatat Nr. 03/L-199, Departamenti për Çështje Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykon dhe vendos në konfliktet administrative sipas padive kundër akteve administrative përfundimtare dhe ka juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Akt administrativ është çdo vendim i ndonjë administrate publike, qeverie qendrore dhe organi tjetër që është rezultat i një procedure administrative mbi ushtrimin e autorizimeve publike. Gjykata vendos lidhur me ligjshmërinë e akteve administrative finale.
Çdo person fizik ose juridik mund ta fillojë një konflikt administrativ. Konflikti administrativ mund të fillohet:
– kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurë administrative në shkallë të dytë;
– kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe
– kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës ose ankesës së palës, sipas kushteve të Ligjit mbi Konfliktet Administrative.
Të gjitha çështjet në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore gjykohen nga një (1) gjyqtar profesionist, përpos nëse me ligj nuk parashihet ndryshe.
Në kuadër të këtij Departamenti funksionon edhe Divizioni Fiskal, që ka kompetencë të gjykoj të gjitha paditë të ushtruara kundër vendimeve përfundimtare të administratës kompetente fiskale, doganore ose administratës komunale lidhur me taksat, detyrimet doganore dhe çdo kontribut tjetër të caktuar nga legjislacioni në fuqi.
Për më shumë informacione, ju lutem shikoni Ligjin për Gjykatat Nr. 03/L-199 Shkarko Ligjin dhe Ligjin Nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative Shkarko Ligjin