Mesazh nga Kryetarja e Gjykatës
Të nderuar qytetarë,
Mirë se erdhët në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Më lejoni që të filloj këtë mesazh mirëseardhjeje me bindjen e thellë të krijuar tashmë në komunitetin e gjyqtarëve të kësaj Gjykate që unë drejtoj, që drejtësia jeton me oksigjenin që buron nga bashkëpunimi i qytetarëve.
Edhe qëllimi i kësaj faqeje është pikërisht që t’i kontribuojë administrimit sa më transparent të drejtësisë, si vlerë qenësore e çdo shoqërie demokratike, në të gjitha proceset civile, penale, administrative dhe ekonomike të cilat zhvillohen pranë Gjykatës.
Në këtë faqe Ju do të keni mundësi që të njiheni me strukturën dhe burimet njerëzore të Gjykatës, me shërbimet që ofron Gjykata e me oraret e tyre, me legjislacionin në fuqi mbi të cilin bazohet puna e Gjykatës si dhe me raportet e ndryshme mbi punën e saj.
Në mënyrë të veçantë, ju do të keni mundësi që të mësoni orarin e gjykimeve, në të cilët jeni të lirë që të merrni pjesë (atëherë kur gjykimi është i hapur për publikun), si dhe të shfletoni vendimet gjyqësore të nxjerra nga Gjykata.
Faqja zyrtare përmban edhe një seksion të dedikuar për pyetjet dhe informatat kthyese si platformë interaktive promovuese dhe konsoliduese të një kulture dhe motoje të re, të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë synon që ta bazojë dhe realizojë mbi ballafaqimin dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve në aktivitetet e përditshme të Gjykatës.
Stafi i Gjykatës që unë drejtoj është i përkushtuar që mekanizmi i ri dhe inovativ i përfshirjes qytetare dhe i ndërgjegjësimit, të funksionalizohet fuqimisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me idetë, vërejtjet dhe rekomandimet e Juaja, të cilat do të merren parasysh dhe do të trajtohen me kujdesin dhe vëmendjen e duhur.
Jam e bindur që kultura e re që po synojmë që të sjellim nëpërmjet kësaj faqeje zyrtare si edhe kontributi Juaj i padiskutueshëm, do ta bëjnë Gjykatën Themelore të Prishtinës një Institucion transparent, të afërt, të prekshëm dhe sa më të besueshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit për vizitën e Juaj.