Prishtinë, 22 nëntor 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin PKR.nr.610/15 kundër të akuzuarve R.O, B.B, A.K dhe A.SH.
I akuzuari R.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) viteve për veprën penale në bashkëkryerje Vrasje e rëndë nga neni 147 par.4 dhe par.9 lidhur me nenin 23 të KPK-së.
Të akuzuarit B.B dhe A.K janë shpallur fajtor dhe janë dënuar secili veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 (njëmbëdhjetë) viteve për veprën penale në bashkëkryerje Vrasje e rëndë nga neni 147 par.4 dhe par.9 lidhur me nenin 23 të KPK-së.
I Akuzuari A.SH është liruar nga akuza për veprat penale në bashkëkryerje Vrasje e rëndë nga neni 147 par.4 dhe par.9 lidhur me nenin 23 të KPK-së dhe veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 147 par.4 dhe 9 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së, pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova se i akuzuari A.SH ka kryer këto vepra penale.
Të akuzuarit R.O, B.B dhe A.K janë liruar nga akuza për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 147 par.4 dhe 9 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK, pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.
Të akuzuarve R.O, B.B dhe A.K me aktvendim të veçantë ju është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara dhe koha e kaluar në paraburgim do t’ju llogaritet në dënimin e shqiptuar.
Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit me datë 06.08.2012 rreth orës 18:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në fshatin Babimoc, pas marrëveshjes paraprake, në bashkëkryerje me të pandehurin A.M i cili gjendet në arrati si dhe XH.M tani i ndjerë, kanë privuar nga jeta M.R, për motive të ulëta dhe me dashje direkte.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës .