Prishtinë, 05 nëntor 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge nga neni 273 par.2 lidhur me nenin 281 par.1 pika 1.9 të Kodit Penal të Kosovës.
Të pandehurit M.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej datës 04.11.2017 deri me datën 04.12.2017.
Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, pa autorizim ka shpërndarë, shitur dhe transportuar substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, andaj caktimi i masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë të të pandehurit në procedurë penale, sepse nëse i pandehuri do të gjendet në liri, do të ketë mundësi të pengon rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar apo falsifikuar provat e veprës penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës.