Prishtinë, 18 gusht 2017 – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin për Çështje Administrative nga dt.14.08.2017 deri me sot, dt.18.08.2017, ka qëndruar eksperti gjerman Christian Tietze, i angazhuar nga Projekti i GIZIT gjerman për ndihmë në Departamentin për Çështje Administrative.
Eksperti gjerman Christian Tietze është pritur nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi dhe nga gjyqtari mbikëqyrës i Departamentit për Çështje Administrative Hajriz Hoti.Qëllimi i këtij takimi ishte mbështetja për zhvillimin dhe forcimin e Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njohja për së afërmi në këtë Departament, nevojat, ngecjet dhe rekomandimet me qëllim të përmirësimit të gjendjes në Departamentin për Çështje Administrative, po ashtu temë diskutimi ishte edhe procesi i publikimit të aktgjykimeve të plotfuqishme në Gjykatë.
Gjatë kësaj jave eksperti gjerman ka mbajtur takime edhe me gjyqtarët e Departamentit për Çështje Administrative, me zyrtarët e zyrës për menaxhimin e lëndëve, me bashkëpunëtorin profesional i cili merret me anonimizimin e aktgjykimeve të plotfuqishme si dhe me zyrtaren për Informim Publik të Gjykatës.
Pas këtyre takimeve të mbajtura, eksperti gjerman do të bëjë një raport përfundimtarë mbi të gjeturat në këtë Departament e po ashtu për të gjeturat edhe në procesin e publikimit të aktgjykimeve të plotfuqishme në Gjykatë, i cili raport do ti dorëzohet Gjykatës me dt. 30 tetor 2017.
Ky projekt është vazhdimësi e ndihmës së GIZIT gjerman dhënë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ, me ç’ rast janë punësuar pesë zyrtarë ligjorë në këtë Departament, për të reduktuar numrin e lëndëve të pa proceduara dhe për të përmirësuar kushtet për procedurë më të shpejtë administrative.