Prishtinë, 03 korrik 2017 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur Aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit Q.M, i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh.
Me pëlqimin e të akuzuarit Q.M dënimi i shqiptuar me burg i zëvendësohet me dënim alternativ punë në dobi të përgjithshme në kohëzgjatje prej 180 orësh, konform nenit 60 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilën punë do ta mbikëqyrë shërbimi sprovues i Republikës së Kosovës.
Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari Q.M është fajtor sepse me dt. 14.shtator.2016 në orët e mbrëmjes, në një shtyllë të dritave që e rregullojnë qarkullimin në komunikacion ( semafor) në rrugën Prishtinë – Podujevë në lagjen e Trimave në Prishtinë, së bashku me dy të mitur ndaj të cilëve do të udhëhiqet procedurë e veçantë për të mitur, kishin vendosur flamurin e organizatës ISIS-it e cila përfaqëson organizatën terroriste ISIS që vepron në shtetet islamike në Siri dhe Irak, çka do të thotë se në mënyrë publike kishin thirrur ose nxitur të tjerët që të shkojnë në Siri dhe Irak dhe të kyçen në këtë organizatë terroriste.
Me këtë veprim i akuzuari Q.M ka kryer veprën penale Bashkimin ose pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj me formacionet e jashtme paraushtarake ose para policorë, në organizimet grupore ose individualisht jashtë territorit të Kosovës, nga neni 3 par.4 të Ligjit për parandalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit nr.5/L-002.