KOMUNIKATË PËR MEDIA

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Lidhur me lajmin në disa portale për fletë arrest ndaj të pandehurit Visar Ymeri

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë,në lidhje me lajmet që po qarkullojnë në media sa i përket urdhër arrestit për të pandehurin Visar Ymeri, për shkak se në lidhje me këtë urdhëresë ka disa paqartësi,duke pa interesimin e mediave dhe me qellim të informimit të drejtë sqaron për sa vijon:

Gjyqtari individual, përkatësisht kryetari i trupit gjykues ka të drejtë që të lëshoi urdhërarrest për sigurimin e prezencës së të pandehurit në shqyrtimin gjyqësor ,në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Urdhërarresti mund të lëshohet për datë  të caktuar, ose për datë të pa caktuar me afat të vlefshmërisë deri në 365 ditë  me qellim që i pandehuri të sillet në gjykatë ose te prokurori-por jo që të ndalohet dhe të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.

Në lidhje me sigurimin e prezencës së të pandehurit në shqyrtimin gjyqësor ka vetëm një rast kur urdhërarresti lëshohet me detyrimin për policinë që të panedehurin ta arrestoi dhe ta dërgoi në Qendrën e Paraburgimit  dhe ai rast është kur  ndaj këtij të pandehuri paraprakisht është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Kryetari i gjykatës nga biseda me gjyqtarin e çështjes -në rastin penal ndaj tani të pandehurit Visar Ymeri-ka kuptuar se ndaj këtij të pandehuri nuk është  caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, megjithatë  është lëshuar urdhërarrest me detyrim që policia ta dërgoi në Qendrën e Paraburgimit. Ka mundësi që të bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik gjatë ndërmarrjes së veprimeve procedurale, jo për lëshime të bëra me qellim të shkeljeve të dispozitave ligjore.

Prandaj në rrethana kur ndaj një të pandehuri nuk ka masë të  caktuar të paraburgimit për sigurimin e prezencës së tij në seancë, ndalimi, arrestimi dhe dërgimi i një të pandehuri në Qendrën e Paraburgimit sipas një urdhërese e  cila nuk përcillet me vendimin për caktimin e paraburgimit nuk do të duhej të ndodhte.

Gjyqtari i çështjes në ditën e nesërme pritet që të rishikoi urdhëresën për arrestimin e të pandehurit Visar Ymeri dhe do të veproi në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Është në kompetencën e gjyqtarit të çështjes që të vendos për masën që do ta caktoi në lidhje me sigurimin e prezencës së të pandehurit Visar Ymeri në shqyrtimin gjyqësor-dhe sigurisht se do të veproi në respektim të plotë të  ligjit.