Prishtinë, 23 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.R për shkak të veprave penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 398 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit A.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.R dyshohet për falsifikimin e dokumenteve publike si dhe përdorimin e tyre në institucionet me të rëndësishme të Republikës së Kosovës siç është Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.R është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisnin veprat e njëjta apo të ngjashme penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.