Të pandehurve A.K dhe V.S iu është caktuar masa e paraburgimit

Të pandehurve A.K dhe V.S iu është caktuar masa e paraburgimit

Prishtinë, 20 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe V.S për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave narkotike, substancave psikotropike dhe analoge nga neni 273 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurve A.K dhe V.S iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

 

Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.K dhe V.S pa autorizim kanë shpërndarë, shitur dhe transportuar substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotropike apo substanca analoge, në atë mënyrë që me dt.15.11.2018 rreth orës 15:00 në dalje të autostradës që lidh magjistralen Prishtinë Mitrovicë, policët e sektorit Qendror për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë, kishin ndaluar veturën me të cilën ishin të pandehurit A.K dhe V.S dhe pas ndaljes në bagazhin e veturës ishin gjetur 10 paketime me qese të najlonit të tejdukshme, me peshë totale 7 kg e 615 gram substancë e dyshuar e llojit marihuanë.

 

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K dhe V.S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisnin veprat e njëjta apo të ngjashme penale.

 

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.