Prishtinë, 20 korrik 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.M, GJ.P, S.D për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPK-së dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 të KPK-së dhe kundër të pandehurës L.Z për shkak të veprës penale Falsifikimi i parasë në bashkëkryerje nga neni 302 par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Të pandehurve M.M, GJ.P, S.D dhe L.Z iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.18.07.2018 deri me dt. 18.08.2018.
Ekziston dyshimi i bazuar se katër të pandehurit me datë 18.07.2018 rreth orës 19:20, në lagjen Kalabria në Prishtinë, pas një kontrolli policor në bazë të informacioneve të personave në kërkim ndërkombëtar se gjenden në banesat e Lesnës, Policia e Kosovës e kishte bastisur atë rajon dhe në një automjet “Mercedes ML” ngjyrë e zezë, ku ishte i pandehuri M.M kanë gjetur një pistoletë CZ99, ndërsa tek të pandehurit GJ.P dhe L.Z janë gjetur 101 fishekë 9 mm, një pistoletë CZ99, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me peshë 25.3 gram dhe letër për mbështjellje të narkotikëve. Pastaj nga bastisja në vendin ku ishte duke banuar S.D janë gjetur substanca narkotikë me peshë 2.1 kg.Me këtë kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 të KPK dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 të KPK-së.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se, të njëjtit mund të përsërisin veprat penale të llojit dhe natyrës së njëjtë apo të ndryshme, duke marrë për bazë peshën e veprave penale, karakteristikat e tyre personale dhe rrethanat në të cilat të njëjtit kanë vepruar në vazhdimësi.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.