17 korrik 2018 – Sot, në Ditën Botërore të Drejtësisë Ndërkombëtare një grup prej 11 nxënësve nga Shkolla Amerikane në Kosovë, vizituan Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamentin për Krime të Rënda.
Ata u pritën nga zëvendës kryetari i kësaj Gjykate, Arben Hoti njëherit gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda dhe gjyqtarja Hunaida Pasuli nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile.
Gjyqtarët u shpjeguan nxënësve për së afërmi se si mbahen seancat gjyqësore dhe gjithë mbarëvajtjen brenda në Gjykatë. Po ashtu, ata u njoftuan për rolin e trupit gjykues gjatë një shqyrtimi gjyqësor, për rolin e prokurorit, palëve të dëmtuara, avokatëve dhe të akuzuarve.
Pas prezantimit të Gjykatës në përgjithësi, nxënësit patën mundësinë të shohin për së afërmi sallat e gjykimeve dhe të parashtronin pyetje të ndryshme për gjyqtarët dhe u ndanë të kënaqur me vizitën që patën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kjo ditë, shënohet në mbarë botën në përpjekjeje të parandalimit të gjenocidit, krimit kundër njerëzimit dhe krimeve që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe mirëqenien e botës.