Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi ka pritur në takim Avokatin e Popullit z. Hilmi Jashari

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi ka pritur në takim Avokatin e Popullit z. Hilmi Jashari

Prishtinë, 19 qershor 2018 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi dhe Udhëheqësit e Departamenteve pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë pritën në një takim Avokatin e Popullit z. Hilmi Jashari.

 

Qëllimi i takimit ishte vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve si dhe përshpejtimi i lëndëve ndaj të cilave bëhet ankesë pranë Avokatit të Popullit.

Me këtë rast, Kryetarja Bytyçi e siguroi Avokatin e Popullit, z Hilmi Jashari, se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe më tej dhe së shpejti do të gjejnë edhe një formë të re të trajtimit të ankesave ndaj lëndëve që vijnë nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Sipas znj. Bytyçi, problem i vazhdueshëm për trajtimin e këtyre lëndëve mbetet numri i madh lëndëve në njërën anë dhe numri i vogël i gjyqtarëve në anën tjetër.

Ndërsa, z Jashari pati edhe një propozim për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Avokatit të Popullit. Ai tha se, institucioni që drejton është në gjendje që me kërkesë të Gjykatës Themelore në Prishtinë të ofroj këshilla juridike në fushën e të drejtave të njeriut, që më pas këto këshilla juridike të merren parasysh gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Këtë propozim e mirëpriti Kryetarja Bytyçi, ajo tha se së shpejti në rastet ku përfshihen të drejtat e njeriut, Gjykata do të kërkoj opinione nga institucioni i Avokatit të Popullit.