Prishtinë, 01 qershor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.A, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 374 të KPK-së.
Të pandehurit D.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
I pandehuri D.A dyshohet se me dt.22.05.2018 rreth orës 15:30 në Rrugën “Drenica” në Prishtinë, për shkak të një mosmarrëveshje verbale-fjalosje në komunikacion, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin V.J.
I pandehuri D.A kishte marr revolen nga vetura e tij dhe kishte shtëne në drejtim të të dëmtuarit V.J me ç’ rast predha e revoles kishte goditur automjetin e të dëmtuarit në derën e pasme ana e majtë, ku kishte depërtuar brenda në automjet në pjesën mbrapa në dysheme.
Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.A, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurit dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.