Prishtinë, 8 maj 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.J për shkak dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPK-së dhe veprën penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 par.1 të KPK-së, kundër të pandehurit A.G për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Pjesëmarrja në rrahje nga neni 190 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë nga neni 333 par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPK-së dhe kundër të pandehurit A.J, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor nga neni 189 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së.
Të pandehurve I.J, A.G dhe A.J, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.05.05.2018 deri me dt.05.06.2018.
Gjykata ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të pandehurve, si dhe ka marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete për ta siguruar praninë e të pandehurve dhe pas analizimit të tyre, ka konstatuar se masa e paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale, bazuar në nenet 187 par.1 nënpar1.1 dhe 1.2 të KPRK-së.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.