Prishtinë, 19 janar 2018 -Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi sot ka mbajtur Konferencën Vjetore, ku ka bërë prezantimin e raportit të punës së Gjykatës për periudhën e vitit 2017.
Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2017 është ballafaquar me sfidat të cilat e kanë përcjellë këtë Gjykatë edhe viteve të kaluara si numri i madh i lëndëve të trashëguara, numri i madh i lëndëve të arritura gjatë vitit 2017, numri jo i mjaftueshëm i gjyqtarëve përkundër faktit se Këshilli Gjyqësorë i Kosovës për Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar procesin e rekrutimit për 19 gjyqtar, mungesa e mbështetjes teknike dhe profesionale, për shkak të pamjaftueshmërisë së stafit mbështetës.
Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2017, me punë dhe angazhim maksimal të të gjithë punëtorëve të saj si dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar ka arritur që të bëjë reduktimin të madh të lëndëve të vjetra dhe atë deri në 24.45%, çka do të thotë se Gjykata ka një trend pozitiv në zgjedhjen e lëndëve gjyqësore.
Sipas raportit statistikor gjatë vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë me Degët e saj ka pasur në punë 281.090 lëndë.
Lëndë të pranuara 120.156
Lëndë të zgjedhura 149.529
Lëndë të pazgjidhura 131.470
Sa i përket rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2017, në Gjykatë janë trashëguar 198 lëndë, kurse janë pranuar 73 lëndë, ndërsa janë përfunduar 86 lëndë.
Nga kjo rezulton se janë kryer 29.373 lëndë më shumë se sa që kanë ardhur në Gjykatë, që shprehur në përqindje del se efikasiteti i Gjykatës për vitin 2017 ka qenë 124.45%, thënë me ndryshe Gjykata ka arritur që për 24.45% që të ulë numrin e lëndëve të vjetra të grumbulluara me vite në këtë Gjykatë.
Gjatë vitit 2017 në Gjykatë është shënuar rritje në nivelin e transparencës e që zyra për informim e Gjykatës ka pasur bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e mediave duke trajtuar dhe dhënë përgjigje në të gjitha kërkesat e tyre.
Gjykata konsideron se niveli i transparencës është ngritur në masë të konsiderueshme bazuar edhe në dinamikën e re të raportimit dhe inçizimit të seancave gjyqësore nga mediat e ndryshme, duke respektuar dispozitat e parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me transparencën dhe Rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Gjykata ka qenë mjaft transparente gjatë këtij viti me ç’rast është bërë hapja e llogarisë së FB, po ashtu në web-portalin e Gjykatës bëhet publikimi i seancave gjyqësore, publikohen komunikata të ndryshme për punën dhe aktivitetet e Gjykatës, publikimi i vendimeve gjyqësore, vizita të shumta nga student dhe nxënës të Fakulteteve dhe Shkollave të ndryshme brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, po ashtu diskutime të ndryshme që zhvillohen në Gjykatë në kuadër të projektit të Usaid-it për fuqizimin e sektorit të drejtësisë, po ashtu Gjykata ka qenë e hapur vazhdimisht edhe në Qasjen e studentëve në arkivat e Gjykatës për qëllime studimore.