Prishtinë, 3 janar 2019 – Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar të zbatohet projekti i Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes së cilit janë të angazhuar 40 praktikantë me pagesë.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi i’u ka uruar mirëseardhje 40 praktikantëve nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe i ka njoftuar rreth funksionimit të Gjykatës si dhe mundësitë e përfitimit me njohuri të reja profesionale nga përvoja e fituar me rastin e punës praktike në Gjykatë.
Praktikantët gjatë punës praktike do të sistemohen sipas nevojave nëpër gjyqtarë të ndryshëm dhe do të kenë rastin të përfitojnë përvojë që do t’iu shërbejë për avancim të mëtutjeshëm.
Puna e praktikantëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë është pjesë e bashkëpunimit me organizatën jo-qeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).