Prishtinë, 21 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit SH.T për veprat penale Grabitje nga neni 329 par. 3 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
I akuzuari SH.T është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet e gjashtë (6) muaj të cilin do ta mbaj pas plotëfuqishmëris së aktgjykimit si dhe dënimin me gjobë në lartësi prej gjashtëqind euro (600,00 ) të cilin do ta paguaj brenda afatit prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata ka konstatuar se i akuzuari SH.T më datën 10.09.2018 rreth orës 12:20 në Podujevë,në rrugën “Zahir Pajaziti” në Filijalen e “Moneygram” me qëllim që vetës apo personave tjerë ti sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror me përdorimin e forcës dhe të kanosjes serioze ka hyrë me armë zjarri-pistoletë në duar duke e drejtuar kah pronari i “Moneygram” tani i dëmtuari B.S duke e detyruar që t’ia jap paratë e gatshme në shumë prej 400,00 Euro dhe në atë mënyrë përvetësoi sendin e huaj nga tani i dëmtuari B. S,e më pas me armë në dorë është larguar nga vendi i ngjarjes, me këtë ka kryer veprën penale Grabitje nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Me rastin e vendosjes lidhur me llojin dhe lartësinë e dënimit për të akuzaurin,kjo gjykatë kishte parasysh dhe mori në konsideratë të gjitha rrethanat e mundshme lehtësuese.Lidhur me konsiderimin e rrethanave lehtësuese gjykata konstaton se pavarësisht udhëzimeve të gjykatës që deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të akuzuarit ti bëhet me dije se pranimi i fajësisë në çdo fazë të procedurës penale konsiderohet si rrethanë lehtësuese dhe kështu gjykatës i krijohej mundësia e shqiptimit të dënimit edhe nën minimumin e dënimit të paraparë për veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 KPRK-së, përkundër faktit se të gjitha provat e administruara qartazi provonin përtej çdo dyshimi të bazuar se tani i akuzuari është kryes i kësaj vepre penale, i njejti deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk e ka pranuar fajësinë për asnjë prej veprave penale për të cilën është akuzuar.
Sipas nenit 329 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,dënimi për veprën penale të grabitjes është dënim me gjobë dhe me burgim prej shtatë (7) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.