Prishtinë, 21 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.E, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së, Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par. 1 të KPRK-së dhe veprën penale Prezantim i rrejshëm nga neni 417 par.1 të KPRK-së.
Të pandehurit A.E iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.E më datë 19.12.2018, rreth orës 00:41 në Prishtinë, kishte tentuar të thyejë vetura me çekan për të cilën kishin njoftuar qytetarët ku në momentin që zyrtarët policor kishin arritur në vendin e ngjarjes dhe kishin urdhëruar që i njëjti të ndalojë, i dyshuari ka filluar të ik me vrap dhe me qëllim që të privojë nga jeta zyrtarët policor të cilët i vihen pas për ndjekje, i pandehuri A.E kishte nxjerrë armën nga brezi dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të zyrtarit policor, po ashtu duke mos përfill urdhrat e zyrtarëve policor ka rezistuar gjatë arrestimit të tij me ç’ rast njërit nga zyrtarët policor i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.E është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, ashtu që nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsëris veprat e njëjta apo të ngjashme penale, pasi që edhe më herët ka kryer vepër penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.