Prishtinë, 13 dhjetor 2018 – Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” në Kosovë, sot gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë dëgjuar një ligjëratë nga eksperti amerikan Terrence Hake. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi i ka uruar mirëseardhjen z.Hake dhe ka folur për rëndësinë e kësaj ligjërate në këtë javë, duke theksuar edhe progresin që Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë në trajtimin e rasteve të korrupsionit. Gjatë ligjëratës, z.Hake ka elaboruar përvojën e tij gjatë katër viteve kur ka vepruar si agjent i fshehtë nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në hetimin e njohur si “Operacioni Greylord”.
Ish-prokurori Terrence Hake gjatë viteve të 80-ta kishte shërbyer si agjent i fshehtë në një hetim të gjerë të FBI-së duke u paraqitur fillimisht si prokuror i korruptuar i cili merrte ryshfet nga avokatë mbrojtës, pastaj edhe si avokat mbrojtës që u jepte ryshfet gjyqtarëve dhe personelit gjyqësor për lirimin e të akuzuarve. Hetimi kishte rezultuar në akuza për marrje e dhënie ryshfeti ndaj gjyqtarëve, avokatëve mbrojtës dhe personelit të gjykatës duke mbetur ende një nga hetimet e fshehta më të suksesshme të FBI-së.
Pas prezantimit të historisë dhe një videoje rreth “Operacionit Greylord”, z.Hake u përgjigj në pyetjet e gjyqtarëve dhe ndau pjesë interesante prej kohës kur shërbeu si agjent i fshehtë. Gjithashtu, ai dhuroi librin e tij me dedikim për Kryetaren e Gjykatën Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi.
Libri i titulluar “Operacioni Greylord” trajton historinë e vërtetë të agjentit të fshehtë dhe hetimin më të madh të korrupsionit në Amerikë. Ligjërata e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mundësuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë.