Prishtinë, 20 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale Marrja e ryshfetit nga nenin 428 paragrafi 2 të KPK-së.
Të pandehurit M.A iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.A në muajin mars të vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar Oficer Korrektues në Burgun e Dubravës, kishte keqpërdorë detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ashtu që me dashje në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare kishte pranuar ryshfet prej 2000€ nga i pandehuri A.L, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të personit SH.H, i cili ishte në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.