Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi është duke qëndruar në një vizitë tre ditore në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me anëtarë të tjerë të delegacionit nga radhët e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane dhe Britanike në Kosovë.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryetarja Bytyçi dje ka realizuar takime zyrtare në Gjykatën më të madhe penale në Mbretërinë e Bashkuar, me ç’ rast janë shkëmbyer përvojat e lidhur me njoftimin e kriminalitetit, po ashtu delegacioni kosovar ka vizituar edhe Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë ditës së sotme Kryetarja e Gjykatës do të takohet me përfaqësues të Këshillit Britanik për Politika Ndëshkimore, ku do të diskutohet lidhur me zbatimin e udhëzuesve për politika ndëshkimore me qëllim të përfitimit të përvojave britanike me mundësinë që të njëjtat të gjejnë zbatim në sistemin gjyqësorë të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, me organizimin e Shoqatës shqiptaro-britanike të Avokatëve, Kryetarja Bytyçi së bashku me delegacionin kosovar të drejtësisë, do të marrin pjesë në ligjëratën me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, që do të mbahet në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.
Vizitën e delegacionit nga radhët e sistemit të Drejtësisë e ka mundësuar Zyra e UNDP-së në Kosovë.