Prishtinë, 5 nëntor 2018 – Mbi tridhjetë praktikantë shqiptarë e serbë të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Degëve të tyre në Vushtrri, vizituan Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe patën mundësi të njoftohen më shumë rreth institucionit dhe rrjedhës së procedurës penale.
Praktikantët u pritën nga gjyqtarja nga Departamenti për Krime të Rënda Nushe Kuka-Mekaj, e cila gjatë fjalimit të saj hyrës foli për strukturën dhe ndarjen e Departamenteve në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Gjyqtarja Kuka-Mekaj theksoi rëndësinë e transparencës së procesit gjyqësor për të fituar besimin tek qytetarët, duke shtuar se puna në gjykatë është e pavarur në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe çdo palë trajtohet në mënyrë të barabartë.
Për më shumë, praktikantët patën mundësinë t’i parashtrojnë gjyqtares edhe pyetje të ndryshme rreth zhvillimit të procedurës penale. Vizita e sotme u organizua nga Misioni i OSBE në Kosovë.