Prishtinë, 18 tetor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje me personat K.SH, R.A dhe L.L të cilët gjenden në arrati, kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje Grabitja nga neni 329 par. 3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, Grabitja në tentativë nga neni 329 par. 3 lidhur me par. 1 dhe lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së, Vrasja e rëndë në tentativë nga neni 179 par. 1 pika 1.9 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të 31 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurve F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Ekziston dyshimi i bazuar se gjashtë të pandehurit nga muaji gusht 2018 deri me dt. 15 tetor 2018 kur edhe janë arrestuar kanë kryer vjedhje të ndryshme në filiale të Teb Bankës, Kep Bankës, NLB Bankës, pastaj vjedhje nëpër pompa të ndryshme të derivateve në vende të ndryshme të Kosovës, vjedhje nëpër kazino dhe bastore të ndryshme, po ashtu të pandehurit kanë kryer vjedhje edhe në super markete të ndryshme, ndërsa me dt.12 tetor 2018 gjatë ndjekjes nga policia të njëjtit kishin tentuar me qëllim që ti privojnë nga jeta të dëmtuarit – policët, në atë mënyrë që kishin shtënë me armë automatike AK-47 në drejtim të njësisë policore dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Të pandehurit F.G, I.A, F.C, L.SH, A.H, XH.SH gjatë kësaj periudhe akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer 33 vepra penale gjatë periudhës Gusht 2018 deri me dt. 15 tetor 2018.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër këtyre gjashtë të pandehurve është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, e po ashtu edhe për të parandaluar kryerjen e ndonjë vepre penale të natyrës së ngjashme pasi që karakteristikat personale të tyre tregojnë rrezik potencial se nëse do të mbrohen në liri, të njëjtit do të vazhdojnë me aktivitete kriminale që kanë të bëjnë me veprat penale nga neni 329 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.