Prishtinë, 28 shtator 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.D për veprën penale Kanosja nga neni 185 par. 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit SH.D i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.27.09.2018 deri me dt.27.10.2018.
Ekziston dyshimi i bazuar se me dt.17.09.2018, i pandehuri SH.D në Prishtinë, në Televizionin RTK gjatë një emisioni televiziv ka kanosur publikisht ish – Prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Elez Blakaj, për shkak të detyrës zyrtare, po ashtu i pandehuri SH.D ka vazhduar me kanosje edhe me dt. 25.09.2018, në një emision në “Televizionin T7.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit SH.D është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës dhe po ashtu i pandehuri po të gjendet në liri mund ta pengojë rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar tek i dëmtuari – dëshmitari, i cili ende nuk është marrë në pyetje në Prokurori dhe ekziston rreziku se i pandehuri do të ndikoj edhe te familja e tij.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.