Prishtinë, 28 shtator 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.S për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Marrje e ryshfetit nga neni 426 pika 1 të KPK-së.
Të pandehurit R.S i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.27.09.2018 deri me dt.27.10.2018.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.S në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Prishtinës, deri sa ishte në pozitën e drejtorit për investime kapitale ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të tij.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu ekzistojnë arsyet e bazuara se po të gjendet i pandehuri në liri, do të mund të pengon rrjedhën e procedurës penale duke fshehë, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarin si dhe në dëshmitarët e tjerë të rastit.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.