Prishtinë, 25 shtator 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B për veprën penale Rrezikim i trafikut publik nga neni 378 par. 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit E.B i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt.23.09.2018 deri me dt.23.10.2018.
Ekziston dyshimi i bazuar se me dt.23.09.2018, rreth orës 15:50 në Bulevardin “Bill Klinton”, në Prishtinë, i pandehuri E.B derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “BMW X1”, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e Ligjit mbi Trafikun Rrugor, ashtu që nga pakujdesia kishte goditur këmbësorin, tani të ndjerin V.M, i cili në ato momente ka qenë duke kaluar rrugën së bashku me fëmiun tre vjeçar N.M, me ç’ rast i ndjeri V.M ishte goditur nga automjeti dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë, ndërsa fëmiu N.M, nuk kishte pasur fare kontakt me automjetin, mirëpo si pasojë e frikës ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës..
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.