Prishtinë, 10 shtator 2018 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi ka pritur në një takim përfaqësuesen nga ambasada amerikane në Kosovë, Michelle Lakomy, Prokuroren Federale Trish Girard dhe Gjyqtaren Mariam Bazzi nga Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i pranishëm në takim ishte edhe Gjyqtari nga Departamenti për Çështje Civile, Lekë Prenaj.
Gjatë këtij takimi është diskutuar kryesisht për rastet e dhunës në familje në lëminë penale dhe civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Kryetarja e Gjykatës, i njoftojë mysafirët se trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe urdhrat në mbrojtje janë me prioritet, me qëllim që viktimat të trajtohen me dinjitet dhe me seriozitet të plotë nga ana e Gjykatës.
Kryetarja Bytyçi është njoftuar nga ana e Prokurores dhe Gjyqtares amerikane se së shpejti do të organizohen disa trajnime në Gjykatat Themelore në nivel të Kosovës, sa i përket rasteve të dhunës në familje.
Kryetarja e Gjykatës duke mirëpritur këtë iniciativë nga ambasada amerikane tha se kjo nismë lidhur me mbajtjen e këtyre trajnimeve për gjyqtarë të Gjykatave është mjaft e rëndësishme në ngritjen profesionale të gjyqtarëve, shkëmbimin e përvojave, po ashtu do të ndikojë direkt në sigurinë e qytetarëve dhe shpresoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.