Prishtinë, 24 korrik 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 410 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit E.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, nga dt.23.07.2018 deri me dt. 23.08.2018.
Ekziston dyshimi i bazuar se, me dt. 23.07.2018, rreth orës 11:00, në Pallatin e Drejtësisë, saktësisht në korridorin e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i pandehuri E.G pas përfundimit të një seance gjyqësore ku i pranishëm kishte qenë edhe Prokurori i Shtetit i dëmtuari B.I , ka vepruar në atë mënyrë duke ju drejtuar Prokurorit me zë të lartë, iu kishte afruar të njëjtit dhe e kishte sulmuar duke e kapur nga krahu, pastaj kishte tentuar edhe ta shtyjë në drejtim të hyrjes së korridorit, atëherë i dëmtuari kishte kërkuar nga i dyshuari që t’ia lëshonte dorën, por ky i fundit me një agresivitet të vazhdueshëm në prezencën e zyrtarëve të sigurimit kishte vazhduar ta ofendonte dhe ta kërcënonte të dëmtuarin B.I.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.