Prishtinë, 19 korrik 2018 – Sot kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, ka pritur Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, Kryesusin e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.
Qëllimi i këtij takimi ishte vlerësimi pozitiv i bërë nga Komisioni Evropian lidhur me efikasitetin që ka shënuar Sistemi i Drejtësisë në përgjithësi dhe në veçanti Gjykata Themelore në Prishtinë në zgjidhjen e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, falënderojë krerët e Sistemit të Drejtësisë për vizitën dhe po ashtu koordinimin e veprimeve të deritanishme, të cilat rezultuan me arritje të suksesit në kryerjen e lëndëve të shënjestruara për liberalizim të vizave.
Po ashtu kryetarja Bytyçi falënderojë edhe gjyqtarët të cilët kontribuan në zgjidhjen e lëndëve të shënjestruara dhe kërkoj nga ta që të shtojnë efikasitetin në punën e Gjykatës në mënyrë që të arrihen rezultate edhe në të ardhmen.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, vlerësoj lartë punën e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi dhe gjyqtarëve të kësaj Gjykate për efikasitetin dhe korrektësinë e tyre në zgjidhjen e këtyre rasteve, konkretisht për kontributin e dhënë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.
Kemi të bëjmë me një gjyqësorë profesional dhe efikas ku çdo ditë po dëshmohen kapacitetet tona në zgjidhjen e rasteve, andaj lajmi për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave tregon qartë se jemi në rrugë të drejtë në përmbushjen e obligimeve tona në drejtim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonën Schengen, tha ministri Tahiri.
Gjithashtu edhe Kryesusi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës Nehat Idrizi dhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, përgëzuan kryetaren e Gjykatës për rezultatet e arritura në këtë drejtim.