Prishtinë, 27 qershor 2018 – Sot, në cilësinë e koordinatorit për rastet e gazetarëve, gjyqtari dhe zëvendësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Arben Hoti priti në një takim përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, z. Petrit Çollaku, drejtor ekzekutiv dhe Ardian Nikolla, hulumtues pranë AGK-së.
Me këtë rast, z. Hoti pranoi listën e rasteve gjyqësore ku janë të përfshirë gazetarët dhe mediat.
Gjyqtari Hoti i siguroi përfaqësuesit e AGK-së se Gjykata Themelore në Prishtinë do të trajtoj rastet e gazetarëve me prioritet. “ Do të krijohet një databazë e veçantë për rastet e gazetarëve, dhe do t’i identifikojmë të gjitha rastet që lidhen me median dhe gazetarët. Si koordinator do të kem vëmendje të shtuar dhe këto raste do t’i kemi prioritet” u shpreh gjyqtari Hoti.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e AGK-së falënderuan gjyqtarin Hoti për gatishmërinë e treguar për t’u marr me rastet gjyqësore të gazetarëve dhe u dakorduan që në të ardhmen të vazhdojnë takimet e tilla ndërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.