Prishtinë, 11 qershor 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin PKR.nr.318/17 kundër të akuzuarve A.S, A.TH dhe L.TH për veprën penale Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273, paragrafi 1 lidhur me nenet 31 e 281, nën paragrafi 1.9, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të akuzuarit A.S, A.TH dhe L.TH janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vite, për secilin veç e veç dhe dënim me gjobë në shumë prej nga njëmijë (1000) € për secilin veç e veç.
Gjykata ka konstatuar se të akuzuarit pas marrëveshjes paraprake, në bashkëkryerje, kanë poseduar me qëllim shitje apo shpërndarje, substancat të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që, me dt. 30.03.2017, rreth orës 11:30, gjatë bastisjes , në kulmin e shtëpisë së të akuzuarit A.S, e cila ndodhet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, policia ka gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të dyshuar si marihuanë, në peshë totale 57 kg., dhe 68.9 gram, e pas ekzaminimit të mostrave të substancës së dyshuar, është konstatuar se e njëjta përmban kanabis (marihuanë), me përmbajtje Tetrahidrokanabinol (THC).
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.