Prishtinë 16 maj 2018 – Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi sot ka pritur një delegacion nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Lezhë, i kryesuar nga kryetarja e kësaj Gjykate, Onera Naqellari, gjyqtarët Artan Hajredinaj e Ilir Perdeta dhe një pjesë nga stafi mbështetës i kësaj gjykate.
Fillimisht, kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyçi, falënderojë delegacionin nga Lezha për vizitën e tyre në Gjykatën më të madhe të Kosovës, Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi kryetarja Bytyçi ka njoftuar mysafirët lidhur me funksionalizimin e sistemit gjyqësorë, me strukturën organizative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe vëmendje e veçantë ju kushtua edhe procedurave të cilat zhvillohen brenda Gjykatës.
Kryetarja e Gjykatës, Afërdita Bytyçi me theks të veçantë ka përmendur Departamentin për Krime të Rënda dhe ka theksuar se në këtë Departament janë duke u proceduar shumë raste të natyrave të ndryshme dhe prioritet janë lëndët e natyrës korruptive, lëndët e krimit të organizuar dhe lëndët me terrorizëm.
Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Onera Naqellari ka shprehur interesim lidhur me rolin dhe rëndësinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, funksionalizimin e punës së Gjykatës, po ashtu edhe çështje tjera me interes në shkëmbimin e përvojave të sistemeve të drejtësisë.
Krejt në fund, delegacioni nga Lezha ka vizituar objektin e Gjykatës në përgjithësi dhe vëmendje të veçantë i ka kushtuar sallave të gjykimit.